albaniaonline
Mire se vini ne faqen tone.  
  Home
  Shqiperia
  Lajmet nga Kosova
  Lajmet nga Rajoni
  Lajmet nga Bota
  Teknologjia dhe Shkenca
  => Mjeksia
  Historia shqipetare
  Kulture
  Sport
  Lojra
  Kinematografia-Filma
  Ambasadat ne Shqiperi
  Ngarko
  Perkthyes
  Galeria
  Forum
  Kontakte
  Pubbliko falas sitin.
Shiko Copyright
Mjeksia
logos

Vaksinë eksperimentale kundër kancerit në tru

Një vaksinë e re kundër kancerit në tru ka filluar të eksperimentohet në rreth 20 spitale të Shteteve të Bashkuara dhe deri tani mjekët dhe pacientët shprehen të kënaqur me rezultatet e përdorimit të saj. Vaksina, në fakt parandalon rishfaqjen këtij tumori vdekjeprurës pas heqjes me operacion. Dhe për shumë pacientë që përpiqen me çdo kusht të gjëjnë një mënyrë shërimi, kjo vaksinë ka ngjallur shpresa të mëdha.

Rajan Degrand nga Saint Luisi, jetonte ëndërën amerikane; i martuar, me dy fëmijë,  dhe pronar i suksesshëm i një kompanie për prodhimin e pajisjeve për lojën e golfit. Katër vjet më parë, në moshën 32 vjeçare ai filloi të vuante nga dhimbje të forta të kokës. Mjekët e vizituan dhe gjatë një skanimi, ata zbuluan një tumor, në pjesën ballore.

Kirurgët e operuan dhe ia hoqën tumorin, por jo sëmundjen që fshihej pas tij. Rajan vuante nga një formë vdekjeprurëse e kancerit në tru. Kur ndodhej vetëm ai edhe qante. Frika më e madhe ishte se po të vdiste çfarë do të ndodhte me familjen e tij e kush do të kujdesej për ta.

Mjekët i thanë familjes Degrand se me këtë lloj tumori njeriu mund të jetojë jo më shumë se një vit.

Bashkëshorja e Rajanit, Kejt tregon se mjekët i thanë se s’mund të bënin gjë për shërimin e tij, përveç trajtimeve të zakonëshme që mund të lehtësonin dhimbjet dhe që nuk sillnin shërim.

Por Rajan nuk e pranoi këtë fat. Ai u interesua në mbarë vendin për të gjetur ndonjë trajtim eksperimental dhe përfundoi në universitetin Duke, ku mjekët po provonin një vaksinë për parandalimin e rishfaqjes së tumorëve në tru, njësoj si në rastin e Rajanit.

Që nga ajo kohë, një herë në muaj, Rajan Degrand shkon me aeroplan nga Saint Luisi ku banon, për në Durham të Karolinës së veriut për të marrë vaksinën me inxheksion. E mira tjetër është se vaksina godet vetëm qelizat kanceroze, çka do të thotë se Rajan nuk ndjen asnjë efekt anësor. E vetmja shenjë që vihet re pas inxheksionit është një fryrje e vogël në vendin e gjilpërës.

Doktor Sampson thotë se pacientët që kanë marrë këtë vaksinë 5, 6 vjet më parë vazhdojnë të jetojnë. Më parë, pacientët me këtë lloj tumori në tru nuk jetonin më shumë se një vit. Vaksina tani po eksperimentohet në 20  spitale në mbarë Shtetet e Bashkuara. Eksertët thonë se është ende herët të thuhet që kjo vaksinë është kurë shërimi, por fakti është se ajo ka ngjallur mjaft shpresa.

Studim 40 vjeçar mbi jetëgjatësinë në SHBA

Rezultatet e një studimi që mbështeten në të dhënat e grumbulluara nga viti 1961-2001, flasin për një shtim të jetëgjatësisë mes amerikanëve. Por autorët e studimit vënë në dukje se jo të gjithë amerikanët hyjnë në këtë kategori.

Që nga viti 1961 deri më 2001 jetëgjatësia u rrit 6 vjet për gratë dhe 7 vjet për burrat. Por studimi tregon se disa amerikanë nuk kanë përfituar nga ky shtim i jetëgjatësisë. Ekspertët pranë universitetit të Harvardit dhe universitetit Uashington morrën në shqyrtim prirjet e jetëgjatësisë në mbarë vendin dhe vunë re se jo vetëm që disa amerikanë nuk jetonin më gjatë, por në fakt jetonin më shkurt.

Nga viti 1983 deri më 1999, burrat në 11 rajone të vendit dhe gratë në 180 rajone ishin të prirur për të jetonin një vit më pak. Rajone ku jetëgjatësia pritej të binte ishin ato në pjesën jugore përgjatë lumit Misisipi si dhe në rajonin e maleve Apalashe. Në studim jepen një numër arsyesh për këtë rënie, përfshi shtimin e rasteve të vdekjeve nga kanceri i mushkërive, sëmundje të zemrës, diabeti dhe sëmundje të tjera jo infektive.

Sipas studimit, meshkujt vdesin parakohe edhe si pasojë e krimeve me dhunë/vrasjeve dhe përhapjes së virusit HIV që shkakton sidën. Një tjetër arësye që ofron studimi është edhe kujdesi i pamjaftueshëm shëndetësor për shumë amerikanë në zona të varfëra dhe rekomandon përmirësimin e këtij shërbimi.


Zbulohet vaksina kundër kancerit të gjirit

Shkencëtarët amerikanë më në fund kanë zbuluar vaksinën kundër kancerit të gjirit E75. Kjo vaksinë ka zvogëluar dukshëm rrezikun nga kthimi i sëmundjes për pacientët të cilët kanë përqindje të madhe të proteinës HER2/neu.

Ky lloj i kancerit të gjirit, i cili përbën rreth një të katërtat e të gjitha rasteve, është më i rrezikshëm se të gjitha llojet tjera të sëmundjes. Në grupin e të sëmurëve të tillë, vaksina ka zvogëluar vdekshmërinë për 50 për qind. Ndërsa lajme edhe më të mira janë se vaksina ka zvogëluar vdekshmërinë për 100 për qind tek gratë me kancer të gjirit dhe me shprehje të ulët apo më të lartë se të mesme të HER2/neu.

"Tani kemi diçka për të cilën gjë mendojmë se ka efekt tek shumica e grave me kancer të gjirit, për të cilat aktualisht nuk ka përkujdesje të mjaftueshme", ka thënë George Peoples, një nga autorët e hulumtimit i cili do të paraqitet në takimin e sivjetmë të Shoqatës Amerikane për Hulumtimin e Kancerit në San Diego. "Gjithashtu, ajo përballohet shumë mirë, sikur vaksina kundër gripit".

Profesori Peoples është udhëheqës i onkologjisë kirurgjike në qendrën ushtarako-mjekësore "Brooke" në San Antonio dhe udhëheqës i programit për zhvillim të vaksinës kundër kancerit në Institutin ushtarako-mjekësor amerikan.

Doktori Geroge Peoples aktualisht zbaton fazën e tretë të testimeve klinike. Kjo vaksinë stimulon sistemin imun që të njohë qelizat e kancerit si të huaja, ndërsa qëllim ka që të ndalojë kthimin e sëmundjes tek gratë të cilat njëherë janë shëruar nga kanceri.


Cfare eshte kanceri i mushkerive?

Kanceri i mushkerive eshte kanceri i trakese, bronkeve (rrugeve te ajrit) ose i alveolave (qeseve te ajrit). Me i shpeshte eshte kanceri i bronkeve.
Vrasesi me i madh
Kanceri i mushkerive eshte  kanceri  me i madh vrases ne Europe dhe ne te gjithe boten. 20% e vdekjeve nga kanceri i perkasin kancerit te mushkerive ( 28% ne burra dhe 10% ne gra).
Ne grate, kanceri i gjirit  eshte shkaktari kryesor i vdekjeve nga kanceri (18%), por ne disa vende si p.sh. ne Angli vdekjet e grave nga kanceri i mushkerive jane me te lartea nga vdekjet prej kancerit te gjirit.
Format e kancerit te mushkerive
Jane dy forma kryesore te kancerit te mushkerive: Kanceri i
mushkerive me qeliza jo te vogla (NSCLC-non-small lung cancer) dhe kanceri i mushkerise me qeliza te vogla (SCLC-small cell lung cancer)
Forma me e shpeshte e kancerit te mushkerive eshte ajo me qeliza jo te vogla(NSCLC),e cila ka mbijetese me te gjate se kanceri i mushkerive me qeliza tevogla (SCLC), qe ka tendence te perhapet me shpejt.
Cfare e shkakton kancerin e mushkerive?
Duhanpirja eshte pergjegjese per afersisht 90% te rasteve me kancer te mushkerive.
Duhanpirja pasive rrit rrezikun per kancer te mushkerive tek ata qe nuk pijne duhan.
Faktore te tjere (“ cancerogjene”) mund te rrisin rrezikun e kancerit te mushkerive vete ose ne kombinim me duhanpirjen (p.sh. asbestoza, rrezatimi dhe substance te ndryshme kimike). Numri i rasteve qe keto te fundit shkaktojne eshte krejt i vogel ne krahasim me kancerin e mushkerive qe shfaqet tek duhanpiresit.
Trajtimi i kancerit te mushkerive
Zbulimi i hershem te kancerit te mushkerive mund te permiresoje mbijetesen, por kjo nuk eshte akoma plotesisht e percaktuar.
Menyrat e trajtimit
Trajtimi mund te perfshije kirurgjine, rrezatimin dhe kemioteapine, te ndara ose te kombinuara me njera tjetren. Trajtimi duhet te jete individual ne varesi te tipit dhe stadit te semundjes.
Kirurgjia
Kirurgjia per heqjen e kancerit pulmonar eshte e mundur vetem ne nje numer te kufizuar rastesh. Nuk eshte e percaktuar nese kanceri eshte perhapur ne pjeset e tjera te trupit ose eshte ne nje pjese te mushkerive qe e ben heqjen e tij te pamundur.
Rrezatimi/kemioterapia
Rrezatimi dhe/ose kemioterapia mund te perdoren per reduktimin e mases tumorale para operacionit ose si mjekim ndihmues ne stadet e avancuara te semundjes.
Kemioterapia eshte kurative vetem ne nje numer te kufizuar rastesh (~5%).
Perhapja ne Europe
Ne Angli te dhenat tregojne se 1 burre ne 13 burra dhe 1 grua ne 23 gra do te vuajne nga kanceri pulmonar.
Rastet e reja
Numri me i madh i rasteve te reja eshte pare ne vendet e Federates Ruse, pasi atje edhe numri i duhanpiresve eshte edhe me i madh.




Shpenzimet 

Fushat per veprim
• Parandalimi
Fushata te vazhdueshme qeveritare dhe jo qeveritare per reduktimin  e pirjes se duhanit.
• Diagnoza dhe mjekimi
Permiresimi i metodave per zbulimin e hershem te kancerit pulmonar jane te nevojshme per rritjen e numrit te pacienteve qe mund te perfitojne mjekim kirurgjikal, qe eshte provuar se kjo e fundit e redukton vdekshmerine.
Dott. Uka Rexhep
Kostoja mesatare e trajtimit te nje pacienti me kancer pulmonar me qeliza te vogla (SCLC) eshte vleresuar me 17 000 euro.
Hospitalizimi perfshin rreth 50% te ketyre shpenzimeve , ndersa kostoja e kujdesit dhe kemioterapia perfshin 13% te tyre.
Kemioterapia mund te permiresoje shenjat e semundjes dhe cilesine e jetes. Ka pak efekt ne zgjatjen e mbijeteses por aktualisht rralle eshte kurative.

Ilaçi kundër trashësisë për dhjetë vjet

Shkencëtarët kanë zbuluar tri gjene të reja që lidhen me trashësinë, ndërsa së shpejti do të mund të përgatisin edhe ilaçin me të cilin do të shërohej trashësia.

Ata kanë zbuluar se si ndikojnë gjenet e caktuara dhe rrisin rrezikun nga pesha e tepërt, ndërsa zbulimet më të reja japin shpresë se, së shpejti, do të mund të prodhohet edhe ilaçi për trashësinë.

Testet e reja të cilat do të zbulonin ndjeshmërinë gjenetike në trashësi do të mund të bëheshin brenda tri deri në pesë vjet, derisa ilaçi do të mund të prodhohej për dhjetë vjet.

Gjatë disa viteve të fundit janë zbuluar shumë variacione dhe mutacione gjenetike të cilat janë të lidhura me peshën e tepërt, ndikimin në apetit dhe ushqimin e pasur me yndyra.

Shkencëtarët amerikan dhe islandezë kanë analizuar 1.000 njerëz të cilët kanë qenë të prirë ndaj trashësisë, derisa kanë krahasuar strukturën e tyre gjenetike dhe trashësinë.

“Nëse sëmundja sikur ajo e trashësisë është e lidhur me ndikimin e rrjeteve të caktuara të gjeneve, analiza përkatëse dhe zbulimi i formimeve të tilla gjenetike do të mund të ishte qenësor në zbulimin e terapisë kundër trashësisë”, ka thënë shkencëtari, Eric Schadt.



Shkencëtarët zbuluan hormonin e
"moshës kalimtare"

Sheryl Smith, profesor i farmakologjisë dhe fiziologjisë në Universitetin e New York-ut ka deklaruar se është zbuluar hormoni që prodhohet në organizëm si përgjigje ndaj streseve dhe shërben zakonisht për të hequr tensionin ose forcon gjendjen alarmante te të vegjlit.

Shkencëtarët e treguan këtë efekt paradoksal në disa eksperimente me minjtë, duke përshkruar kështu edhe mekanizmin e këtij fenomeni. Ky hormon u quajt THP ose allopregnanolone. THP “lind” në situata stresi dhe qetëson sistemin nervor, duke e ndihmuar kështu njeriun që të përballojë një situatë të caktuar tensioni dhe alarmi.

Eksperimentet u bënë me minj të moshës para dhe pas pjekurisë së tyre seksuale. Shkencëtarët i vendosën minjtë në një kontejner të ngushtë dhe i mbajtën atje 45 minuta, duke stimuluar për ta një situatë stresi. Pas 20 minutash, minjtë e vegjël filluan të tregoheshin më nervozë se kolegët e tyre “të rritur”. Doli se ky tension lindi si pasojë e veprimtarisë së THP, i cili kalon në qelizë nëpërmjet disa receptorëve specialë.

Në periudhën e pjekurisë seksuale, minjtë kanë një nivel më të lartë të këtyre receptorëve.

Sasia e tepërt e THP-së në qeliza ushtron veprimtari nxitëse, në vend që të bënte të kundërtën, pra të ushtronte veprimtari qetësuese. Shkencëtarët mendojnë se po të ketë të njëjtat rezultate edhe me njerëzit, ky zbulim do të ndihmojë për të ulur lëkundjet në humorin e shumë fëmijëve në rritje e sipër.


Ende pa rezultate për një vaksinë kundër HIV-it

Edhe pas 20 vjet kërkime, shkencëtarët nuk kanë arritur të shënojnë ndonjë përparim të dukshëm në krijimin e vaksinës kundër virusit HIV-it, ka thënë David Baltimore, profesor i biologjisë dhe fitues i çmimit Nobel për mjekësi në vitin 1975 (për zbulimin e enzimave të cilat i shfrytëzon virusi i AIDS-it për t’u shumuar në qelizat njerëzore).

Edhe pse disa shkencëtarë thonë se fitimi i një vaksinë kundër HIV-it nuk do të ndodhë kurrë, Baltimore beson se lufta për ta gjetur një vaksinë të tillë është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet hequr dorë nga ajo.

“Kjo është një sfidë e madhe, sepse shkenca duhet të fitojë mbi natyrën që të kontrollojë në mënyrë imunologjike HIV-in. Shkenca duhet të bëjë diçka që s’ka mundur ta bëjë natyra gjatë katër miliardë vitesh të evolucionit, dhe vetëm atëherë do të jetë fitimtare”, ka thënë Baltimore, duke shtuar se mungesa e suksesit “është e kuptueshme, por e papranueshme”.

Përpjekjet për ta kontrolluar virusin me anë të antitrupave dhe duke forcuar sistemin imunitar të organizmit, kanë dështuar sepse, sipas Baltimore, shoqata e shkencëtarëve që është përgjegjëse për vaksinën ka rënë në "depresion", për arsye se nuk sheh ndonjë mënyrë për ta realizuar qëllimin e vet.

Shkencëtarët janë duke zhvilluar teknika të reja, siç është terapia e bazuar në gjene dhe qelizat amë, mirëpo kjo metodë sapo ka filluar.

 

 
Qendrim te kendshem.  
  Albaniaonline Albania Arts  
 
 

 
Galeria  
 

Gallery Click to View

 
 
   
719080 visitatori (3397198 hits)
Questo sito web è stato creato gratuitamente con SitoWebFaidate.it. Vuoi anche tu un tuo sito web?
Accedi gratuitamente