Me marrëveshjen greko-ruso-bullgare të vitit të kaluar në hartën energjitike të Ballkanit po shënohet një ndryshim i ri. Gazsjellësi South Stream u nënshkrua në Kremlin nga presidenti Putin dhe kryeministri grek Karamanlis, një javë para se Putin të dorëzojë postin e presidentit. Marrëveshja i hap rrugën fazës së ndërtimit të tij. Rruga e transportimit të 30 miliardë metra kub gaz natyror në vit deri në tregjet energjitike evropiane do të jetë: Nga Novorosisku përmes Detit të Zi, territorit bullgar dhe degëzimeve të tij, pastaj përmes Greqisë drejt Austrisë dhe Italisë.
«Do të jetë një burim mjaftueshëm energjitik si për vendet ballkanike po kështu edhe për kontinentin evropian» deklaroi Putin, i cili nuk mungoi të promovojë dhe një herë vendin e tij si të vetmin burim kredibël dhe të leverdishëm energjie si për Greqinë po kështu edhe për partnerët e tjerë evropianë. Përkundër zërave kritikë për vartësi nga monopoli rus i energjisë Putin e cilësoi «pragmatiste dhe realiste» përqasjen e çështjes së energjisë nga ana e Greqisë, e dobishme, sikurse tha, si për Ballkanin po kështu edhe për Evropën.
Gazsjellësi ka rëndësi jetike për Greqinë
«Projekti i South Stream është nga më të rëndësishmet për Evropën Jugore dhe Qëndrore dhe është pjesë integrale e strategjisë së diversitetit të burimeve të gazit natyror» theksoi nga ana e tij dhe kryeministri grek Karamanlis, i cili shtoi se Greqia furnizohet njëkohësisht me gaz azerbaxhanas përmes Turqisë por edhe me gaz algjerian në formë të lëngët.
Sipas tij nga 3.8 miliardë metra kub gaz të vitit 2007 nevojat e konsumit të Greqisë në vitin 2010 do të rriten në 10 miliardë. Karamanlis e cilësoi të një rëndësie jetike marrëveshjen me Moskën që siç thuhet së shpejti do të shtrihet dhe në fushën e energjisë elektrike. South Stream do të ndjekë të njëjtin itenerar me naftësjellësin Burgas Aleksandrupoli, do të jetë 900 km i gjatë dhe do të arrijë deri në brigjet italiane në rrugë të nënujshme përmes Otrantos në përfundimin e tij në vitin 2014.
Ky gazsjellës i tretë, së bashku me atë turko-greko-italian dhe Nabuco, pritet të shuajë dhe më tepër etjen energjitike të Evropës, por siç theksojnë analistët shkakton reagimin e Uashingtonit që shikon me dyshim lojën ruse të energjisë.
Marrëveshja u përcoll si fryt i marrëdhënieve të shkëlqyera greko-ruse që mban dhe vulën e relatave personale Putin-Karamanlis, të cilët u takuan për të shtatën herë katër vitet e fundit. Duke ndarë të njejtën optikë për problemet e sigurisë së rajonit të Ballkanit, Karamanlis siguroi solidaritetin e kujdesshëm të Putinit për emrin e Maqedonisë dhe përkundër qëndrimit kategorik rus kundër pavarësisë së shpallur të Kosovës u mjaftua të shtyjë për të ardhmen vendimin grek duke e cilësuar njohjen e pavarësisë «si të drejtë sovrane të çdo vendi».