Shqipja e vjetër ka ushtruar një ndikim të madh ndaj gjuhëve ballkanike. Kjo është teza kryesore e një projekti të dy linguistëve vjenezë, që po financohet nga Fondi austriak për Shkencën.
"Kërkojmë shitës me njohuri të gjuhës serbe, hungareze, rumune dhe gjermane!" - një afishe e zakonshme kjo në qytetin Vërshac të Vojvodinës në Serbi, në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Asokohe njohja e gjuhëve të ndryshme ishte parakusht mbijetese. Linguisti vjenez Shtefan Shumaher (Stefan Schumacher) e sjell këtë si shembull për të treguar, se komunikimi gjuhësor mes fqinjëve në Ballkan, në kohërat e mëparshme ka qenë shumë i gjallë.
"Ne mendojmë se rrethana të ngjashme kanë sunduar edhe në të gjithë Ballkanin, pra që njerëzit kanë përdorur më shumë se një gjuhë brenda një dite për të komunikuar me të tjerët", thotë Shumaher në një intervistë me Deutsche Wellen. Për të mësuar më shumë se si shqipja ka ndikuar ndaj gjuhëve tjera të Ballkanit doktori i shkencave linguistike ka filluar në vitin 2006 një studim tre vjeçar për shqipen e vjetër, së bashku me kolegun e tij, albanologun Joachim Matzinger. "Joachim Matzinger dhe unë jemi marrë me shqipen prej shumë kohësh. Shumë shpejt kuptuam se kushdo që merret me këtë i bazon gjykimet për shqipen dhe historinë e saj tek gjuha e sotme moderne. Ne e dinim se qysh nga shekulli i 16-të e këtej ekziston një korpus i madh letrar, i cili duhet studiuar me themel", thotë Shumaher më tej.
Si bazë për këtë studim, shërbejnë kryesisht, shkrimet e shekullit të 15 dhe 16, studimi i të cilave në periudhën e komunizmit nuk arriti të bëhej i plotë, edhe për faktin se ato kishin përmbajtje fetare. Shumaher ka analizuar deri tani afro 60 për qind të Pjetër Bogdanit, ndërsa Matzinger po merret me Budin. Bartja e ndikimeve gjuhësore mendohet të ketë ndodhur përmes barinjve shtegtarë si dhe përmes latinishtes.
Ndikimi i shqipes i konsiderueshëm
Qysh tani ata kanë vënë re, se shqipja e vjetër, e cila mendohet të jetë të paktën 2500 vjeçare, ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhëve ballkanike. "Kjo vihet re qartë tek rumanishtja, e cila është shumë më ndryshe nga gjuhët e tjera romane dhe megjithatë ka disa veçori që janë tipike edhe për shqipen e sotme. Kështu për shembull që nyja bashkangjitet në fund të foljes, ndërkohë që të gjitha gjuhët e tjera romane e vënë atë në fillim, sqaron Shumaher.
Bardhyl Demiraj, profesor i albanologjisë në Universitetin e Mynihut, ka qenë referenti i parë i projektit dhe është i gëzuar që ky projekt po mbështetet edhe nga Fondi për Shkencën, institucioni qendror i Austrisë për financimin e studimeve bazë. "Shtefan Shumaher është një indoeuropianist i njohur, por ndërkohë po bën emër edhe në albanologji si edhe në disa fusha të tjera të shkencave historike e gjuhësore. Ai është një njohës shumë i mirë edhe i gjuhëve rrënoja të Evropës Qendrore dhe në veri të Ballkanit. Ndërkohë që Matzinger është më i ri, është një albanolog i mirëfilltë, i cili ka botuar mbi 25 artikuj", vlerëson Profesor Demiraj.
Studiuesit po përdorin jo vetëm një bazë të re materiale, por edhe metodat më të reja të indoevropianistikës, vlerëson Demiraj. Një rezultat i këtij projekti pritet të jetë një fjalor me foljet e shqipes së vjetër. Dy studiuesit austriakë pritet të japin një ndihmesë të çmuar në studimet albanologjike, duke i qendruar kështu besnikë traditës austriake në këtë lëmi, gurin e parë të së cilës e vuri po në Vjenë, profesor Norbert Jokl, rreth 100 vjet më parë.
Zbulohet planeti më i ri dhe më i vogël jashtë sistemit Diellor
Studiuesit e hapësirës kanë zbuluar planetin më të vogël të gjetur deri më tani jashtë sistemit diellor. Zbulimi mbart një rëndësi të veçantë pasi planeti në fjalë është me i afërti me tokën nga planet e ndodhura jashtë sistemit diellor.Studimet kanë një tjetër rëndësi të veçantë pasi mendohet të gjenden të tjerë planetë ku jetohet. Planeti në fjalë është më i vogli e gjendur deri më tani, ka madhësi gati tre herë më të madhe se toka, ka formën e një xhuxhi të vogël dhe rrotullohet rreth një ylli.
Astronautët e kanë quajtur planetin e ri "MOA-2007-BLG-192Lb". Disa nga studiuesit shprehen se në planetin e zbuluar mund të ketë një shtresë atmosfere dhe në shtresën e sipërme të tij mund të gjendet një shtresë e lëngshme që mendohet të jenë oqeane. Ata thonë se ekziston mundësia edhe e një vetëngrohjeje të planetit.
Studiuesit thonë se planeti në fjalë rrotullohet rreth yllit me një kënd të ngjashëm me atë të Venerës. Sipas tyre, nxehtësia në yll është nga tre mijë deri në një milion herë më e vogël se ajo e diellit, prandaj dhe atmosfera e tij mund të jetë më e ftohtë se ajo e Plutonit.
Ndërkohë, planeti u zbulua nga teleskopët e vendosur në Mount John në Zelandën e Re.
Arkeologë nga Hamburgu zbulojnë Pallatin e Shabas në Ethiopi
Mbretëresha e famshme e Shabas është një nga figurat e mrekullueshme të Testamentit të vjetër. Sipas legjendave etiopiane, mbretëresha e bukur e Makedas ka qenë një nga mitet krijuese të kishës ortodokse etiopiane.
Në Aksum-in etiopian një ekip gërmues gjerman ka kërkuar për gjurmën e Mbretërisë së Shabas, dhe i gjeti ato. Ata kanë zbuluar Pallatin e Mbretëreshës së Shabas.
Në zyrën e vogël të profesorit Dr. Helmut Ziegert në Institutin arkeologjik në Universitetin e Hamburgut sundon atmosferë e ngarkuar. Biseda ndërpritet disa herë prej telefonatave. Pyetjet për të dhënë intervista shtohen gjithnjë e më tepër. Ata që nuk i përkasin kësaj fushe mendojnë se zbulimi i Pallatit të Mbretëreshës së Shabas ka shkaktuar gëzim të madh tek zbuluesit. Por pyetjes nëse është kështu Ziegert i përgjigjet çuditërisht me jo. Ku bazohet puna e tij si shkencëtar, kur fillohet me kërkimet dhe gërmimet ?
„Në burime historike, shkrime burimore, legjenda gojore dhe fakte, nëse i kërkon dhe i nxjerr nga fundi i dheut. Legjendat gojore shpesh nuk merren seriozisht. Por në Aksum ne i vumë në provë legjendat, dhe pamë se pjesërisht ato janë të vërteta.“
Megjithatë qëllimi kryesor i punës shkencore të Prof. Ziegert dhe ekipit të tij nuk ishte zbulimi Pallatit të Mbretëreshës së Shabas.
„Tema e projektit tonë të kërkimit ishte faktikisht fillimi i krijimit të shtetit të Etiopisë në shekulline tretë dhe të katërt dhe krijimit të kishës etiopiane. Ne ishim në kërkim të përgjigjes për pyetjen pse Aksumi, përkatësisht gjithë Ethiopia ka qenë para kristianizimit me besim hebre. Si ka mbërritur besimi hebre deri në Ethiopi? Si kanë mbërritur një prej objekteve hebreje të kultit të popullit izraeit deri atej?"
Këto pyetje mund të vlerësohen tani si me përgjigje të marra, thotë Ziegert. Materialet që na kanë rëndë tani në dore na tregojnë se objekti hebre i kultit për të cilin bëhet fjalë ka ardhur në Ethiopi nga Jeruzalemi. Dhe me të edhe i praktikuar deri në vitet 600 pas Krishtit, i cili orientohej tek sistemi i yjeve Sirius.
„Sirius ka një lloj rëndësie në disa nga fetë. Ai është sistemi më i ndriçuar i yjeve dhe gjatë kalimit të vitit dhe në peridha të cakuara shfaqet në pozicione të caktuara. Prandaj ka patur gjithnjë një lloj funksioni kalendarik.“
Pallatin e Mbretëreshës së Shaba-s, i periudhës së shekullit të 10-të para Krishtit, Helmut Ziegert dhe ekipi i tij e gjetën në pranverë. Mbetjet e pallatit ata i gjetën në një pallat të rij, i cili ishte ngritur mbi të vjetrin.
Rita mahnit Craig David-in
Rita Ora Sahatçiu, këngëtare nga Kosova këndon me Craig David-in në albumin e tij më të fundit, "Trust me".
Fjala është për këngën "Awkward", ndërsa vetë Craig David thotë se është mahnitur nga talenti e saj dhe se është duke punuar në albumin e saj.
Rita Ora, 17 vjeçare, erdhi në Londër me familjen e vet kur ishte më pak se një vjeç.
Rita ishte musafire në programin tonë Projekti Londër ku flet për punën dhe jetën e vet.
Newseum hap dyert në Uashington
Muzeum mbi gazetarinë
Një muezum i ri që i dedikohet historisë së raportimit të lajmeve ka hapur dyert në Uashington për herë të parë.
'Newseum' siç njihet, do të tregojë historinë se si gazetaria ka ndryshuar nga ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur dhe si ende po ndryshon si mjet i komunikimit.
Muzeumi hap dyert në kohën kur disa prej organizatave tradicionale të lajmeve në SHBA janë shprehur të shqetësuara për gazetarinë amerikane.
Kuratorët e muzeumit thonë se idea nuk është të përkujtohen gazetarë të veçantë, por t'i bëhet homazh amendamentit të parë të Amerikës - të drejtës për fjalë të lirë dhe shtyp të lirë.
Muzeumi ekzaminon traditat e gazetarisë amerikane duke perfshire edhe ata reporterë që rrezikojnë çdo gjë për të kryer punën e tyre.
Vizitorët në muzeum mund të dëgjojnë kronika të Ed Murrow që përshkruan blitzin mbi Londrën ndërsa bombat shpërthyen rreth tij.
Prezantuesi i lajmeve në CBS, Dan Rather, e mirëpriti këtë muzeum dhe i tha BBC se beson se një ekzaminim i gazetarisë amerikane ka shumë rëndësi sot.
"Ne kemi qenë -- gazetaria amerikane dua të them--në një gjendje pranë krizës, veçanërisht pas 11 shtatorit,por pa justifikime, dua të them në disa mënyra kemi humbur rrugën, kemi humbur shtyllën vertebrore, kemi humbur guximin. Gazetaria amerikane manifeston sot veten si gazetari që heziton, që nuk do të flasë, që nuk pranon të bëjë pyetje të vështira kur i flet personave me fuqi, veçanërisht pas 11 shtatorit dhe veçanërisht kur ky vend është në luftë."
Dan Rather, dikur një nga fytyrat më të njohura të lajmeve të mbrëmjes në SHBA u detyrua të largohej nga stacioni pasi disa dokumenta të përdorura për një kronikë që kritikonin presidentin Bush u vunë në pikëpyetje.
Gërmime të reja në Stonehenge
Rrënojat prehistorike Stonehenge në Britani
Arkeologët kanë filluar gërmimet në rrënojat prehistorike Stonehenge në Britani, për herë të parë që nga vitit 1964.
Stonehenge mbetet një enigmë - gurët masivë qëndrojnë të vendosur në këmbë në formë rrethore në Luginën Salisbury në Anglinë jugore për më shumë se 3000 vjet.
Nuk është ende e qartë se për çfarë kanë shërbyer apo në fakt si dukej vendi më parë, prandaj arkeologët i kanë vënë kaq shumë rëndësi këtij gërmimi dyjavor.
Dihet se guri unik blu në Stonehenge është transportuar në këtë vend nga një gurore në Uells rreth 250 km larg - dhe se vendosja e gurëve është ndryshuar disa herë në kohët e lashta.
Tani arkeologët shpresojnë të përdorin shkencën moderne për të hedhur dritë mbi disa prej mistereve të këtij vendi.
Ka shumë teori lidhur me arsyen pse britanikët e lashtë e ngritën vendin Stonehenge - disa thonë është një orë gjigande astronomike, të tjerë thonë që ishte vend për ritualet e sakrifikimit.
Professor Tim Darvill i Universitetit të Bournemouth në Britani, një nga arkeologët që drejton gërmimet, ka një teori tjetër, që shpreson të mbështetet nga gërmimet.
Ai beson se guri blu uellsian ka qenë shumë i njohur në kohërat prehistorike për karakteristikat shëruese, dhe për këtë arsye ata u sollën në Luginën Salisbury - për të krijuar një qendër kurative, nëse mund ta quajmë kështu, që të vinin banorët e lashtë të rajonit.
Besa Kokëdhima fituese e Top Fest 5
Edicioni i pestë i festivalit më të popullarizuar të muzikës moderne shqiptare, “Top Fest”, i zhvilluar mbrëmë në Tiranë, ka ndarë plot 15 çmime, duke nxjerrë fituese kryesore të festivalit këngëtaren Besa Kokëdhima.
Besa morri pjesë në festival me këngën “Engjëjt vrasin njësoj”, ndërsa krahas çmimit kryesor, asaj i ka takuar edhe një çmim tjetër, ai i internetit, duke qenë më e votuara online. Çmimi i sjell këngëtares edhe një shumë prej 10 mijë eurosh.
Spektakli ishte një organizim i shkëlqyeshëm, ashtu edhe siç jemi mësuar ta shohim viteve tjera, i drejtuar nga dy prezantuesit e njohur, Ledioni dhe Albana. Në mesin e pesëmbëdhjetë çmimeve fituese, pati edhe këngëtarë kosovarë si Vesa Luma, Teuta Kurti dhe bashkëpunimi mes Viagra dhe Skills.
Në vijim lista e çmimeve dhe fituesve:
Best New Art – Shpat Deda
Best Pop-Rock – Upstreew & Kelly
Best Alternative – Linda në botën e çudirave
Best Hip Hop & R’n’B – Viagra dhe Skills
Best Male – Gledi dhe Gent Bushpepa
Best Song – Hana
Best Interpret – Teuta Kurti
Best Group – Cody
Best Video – Aida Hana
Vodafone Club - Ngroba
Digitalb – Vesa Luma
TAR – Vitmar Basha
Internet - Besa