Shqipëria kërkon të
bëhet prodhues i madh i energjisë së erës
Shqipëria do të ndërtojë parkun e vet të parë të erës dhe planifikon të eksportojë energji në Itali sipas një nisme të re. Dy kompani, Moncada Costruzioni dhe Enpower Albania të Italisë, janë prapa projektit që do të mund të jepte një kapacitet prej 500 Mw.
Prodhimi pritet të nisë deri në 2010. Energjia do të udhëtojë nëpër një kabëll të shtrirë nga porti shqiptar i Vlorës në Brindisi të Italisë, në një thellësi 825 metra.
"Në të ardhmen e afërt, mund të rriste importin e energjisë së prodhuar nga centralet konvencionale që kemi ndërmend të zhvillojmë në truallin shqiptar," thoshte një deklaratë nga Moncada Construzioni.
Në gusht, qeveria shqiptare miratoi përdorimin e tokës pyjore e të kullotës në rrethin e Vlorës për zhvillimin e parkut të erës.
Ekspertët thonë se potenciali për projekte të ngjashme ekziston në një numër vendesh në Shqipëri, veçanërisht në fushat, përgjatë bregdetit dhe në kodrat. Autoriteti Rregullues i Elektricitetit (ARE) ka licencuar tani disa kompani për të zhvilluar këtë potencial.
Vitin e kaluar, licenca e parë i shkoi kompanisë Hera, e cila ka në plan të ndërtojë një fermë ere në zonën e Kapshticës dhe Bilishtit, Shqipëria juglindore, me një kapacitet 150 Mw. Projekti do të kushtojë 240 milion euro.
Malet e Terpanit, pranë qytetit jugor të Beratit janë një tjetër zonë e planifikuar për zhvillimin e energjisë së erës. Investimi i projektit llogaritet në 460 milion euro, me një kapacitet të instaluar prej 225 Mw.
Italgest, një kompani italiane e energjisë së erës, ka propozuar ndërtimin e një centrali ere pranë Kryevidhit, 50 km larg Tiranës. Njësia do të gjeneronte 150 Mw dhe investimet e kompanisë do të arrinin në 202 milion euro.