albaniaonline
Mire se vini ne faqen tone.  
  Home
  Shqiperia
  Lajmet nga Kosova
  Lajmet nga Rajoni
  Lajmet nga Bota
  Teknologjia dhe Shkenca
  Historia shqipetare
  Kulture
  Sport
  Lojra
  Kinematografia-Filma
  Ambasadat ne Shqiperi
  Ngarko
  Perkthyes
  Galeria
  Forum
  Kontakte
  Pubbliko falas sitin.
Shiko Copyright
Lajmet nga Kosova

Kemi kaluar te albaniaonline.cn


Hypo Group Alpe Adria e interesuar të investojë në sistemin bankar

Sistemi bankar në vend vazhdon të jetë mjaft atraktiv për investitorë të huaj. Një kërkesë e re për licencim pritet të adresohet në Bankën Qendrore të Kosovës, duke rritë numrin e bankave që operojnë në vend, në nëntë.

Bëhet fjalë Hypo Group Alpe Adria nga Vjena, bankë kjo e cila operon në disa vende Evropiane.

Interesimin për të investuar në sektorin financiar në Kosovë, e kanë shprehur vet përfaqësues të kësaj banke, Harald Edlinger dhe Armin Blassnig, gjatë një takimi që kishin të hënën me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj.

Kryetari Beqaj dhe drejtori për marrëdhënie me jashtë i OEK-ut Safet Gërxhaliu kanë njoftuar mysafirët lidhur me situatën aktuale ekonomike në Kosove, mundësitë e investimeve ne sektorët e caktuara dhe angazhimin e institucioneve për të krijuar ambient sa më volitshëm për investitor të huaj.

“Në bazë të pyetjeve të parashtruara nga mysafirët mund të përfundohet se ky grup prestigjioz ka plane shumë serioze për të investuar në Kosove dhe se shumë shpejt mund të pritet kërkesa dhe licencimi i edhe një banke të huaj komerciale në Kosovë”, thuhet në njoftimin e OEK-së.

Kryetari Beqaj ka theksuar se prania e një banke të tillë për Kosovën ka rëndësi në aspektin ekonomik.

“Bëhet fjalë për një bankë të njohur në përmasa evropiane, e cila ka ndikim politik në kuptim të krijimin të imazhit të mirë për Kosovën si vend i sigurt për investime të huaja”.

Ndryshe rrejti i Hypo Group Alpe Adria nga Austria është i shtrirë në Zvicër, Gjermani, Bosnje e Hercegovinë, Itali, Kroaci, Mal të Zi, Serbi, Slloveni,Hungari, Londër, Ukrainë, Maqedoni dhe Bulgari. Asetet e bankës në fund të vitit të kaluar kanë qenë, 37.9 miliardë euro. 


Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sizmologjisë

Ministria e Energjisë dhe Minierave, Instituti Sizmologjik i Kosovës dhe Instituti i Gjeoshkencave të Shqipërisë kanë nënshkruar të hënën një marrëveshje bashkëpunimi.

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje është shkëmbimi i informacioneve dhe përvojave nga fusha e sizmologjisë.

Memorandumi përfshin intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve përkatëse në fushën e sizmologjisë dhe gjeoshkencave për zhvillimin e rrjetit rajonal sizmik.

“Nënshkrimi i këtij memorandumi është një hap përpara në mënyrë që rrjeti sizmologjik i Kosovës të bëhet pjesë integrale e sistemit ndërkombëtar sizmologjik”, ka thënë Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Pula po ashtu ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do i paraprijë edhe marrëveshjeve të tjera të tilla me vendet fqinje dhe më gjerë.


Amerikanët paguajnë borxhet e
Kosovës

Gati gjysma e ndihmës amerikane për Kosovën që do të jetë 400 milion dollarë për katër vitet e ardhshme apo 100 milion dollarë në vit do të shkojnë për shlyerjen e borxheve që Kosova ka trashëguar nga koha e ish Jugosllavisë.

“ 150 milionë dollarë nga ndihmat amerikane për Kosovën do të shkojnë për shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës, që nga koha e ish Jugosllavisë”,ka thënë Henrieta Fore, shefe e USAID-it.

Edhe pse nuk ka shifër të saktë për borxhet e trashëguara të Kosovës, nga ekspertët janë bërë llogaritë se ato mund të jenë rreth 1 miliard dollarë.

Por po kaq,rreth 1 miliard dollarë llogaritet se i takojnë Kosovës prej ndarjes së pasurisë së ish Jugosllavisë, prej të cilës deri më tani ka qenë e përjashtuar.
Shefja e USAID-it,Fore, para mediave në Bruksel, ka përsëritur se Uashingtoni do të japë mbi 400 milionë dollarë për Kosovën në konferencën e donatorëve që mbahet të premten.

Luli fascinoi serbët, kërkojnë 600 milionë euro për Graçanicën e Re

Ish-shefi i urbanizmit në komunën e Prishtinës, Lulzim Nixha, i cili "shihte ëndrra në ditë me diell", duke projektuar trena futuristik të cilët do të kalonin mbi qytetin e Prishtinës dhe i prezantonte si projekte të zbatueshme duke mos marrë parasysh koston financiare, ka bërë dhe një projekt tjetër megaloman.

Ky projekt i cili quhet “Gracanica e Re”, parasheh zhvillimin e këtij fshati në një qytet modern dhe për t'u realizuar kushton plot 600 milionë euro.

Projekti që kushton plotë 600 milionë euro është prezantuar në publik nga zyrtarë të Partisë së Pavarur Liberale Serbe (SLS).

Kryetari i SLS-së, Slobodan Petrovic, deklaroi në një konferencë me gazetarë se ky projekt është shumë i madh dhe do të japin çdo gjë nga ana e tyre që të prezantohet ashtu si duhet në konferencën e donatorëve.

“Së pari falënderoj Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, kryeministrin dhe të gjithë njerëzit që kanë ndihmuar në këtë projekt dhe që janë të interesuar të ndihmojnë gjithë qytetarët pa dallim për projektin ‘Graçanica e re’ që parashihet të ndërtohet një qytet modern në disa faza, për secilën fazë nga 100 milionë euro”, tha ai.

Graçanica është një fshat i cili sipas planit të Ahtisaarit do të kthehet në komunë. Për shkak të afërsisë me Prishtinën dhe zgjerimin e madh që është duke pasur qyteti brenda pak vitesh mund të përfshihet brenda kryeqytetit. Ky plan prish zgjerimin e Prishtinës së Re që është menduar të ndërtohet në këtë pjesë.

Petrovic tha se plani i Ahtisaari-t parasheh decentralizimin, apo formimin e komunave të reja, e njëra nga to është edhe komuna e Graçanicës ku në këtë drejtim dëshirojnë të japim shans që serbët të pranojnë një gjë të tillë, që edhe institucionet e Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim për një jetë të përbashkët për gjithë qytetarët.

Sipas tij, ideja nuk është që Graçanica të jetë një vend vetëm për serbët, por edhe për qytetarët shqiptarë dhe komuniteteve tjera që jetojnë në këtë vend, për të pasur një jetë më të mirë në të ardhmen e tyre dhe një bashkëjetesë të mirë.
“ Ky nuk është projekt individual, por në kuadër të Qeverisë së Kosovës’, tha ai.

ICO publikon udhëzuesin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin

Zyra Ndërkombëtare Civile (ICO) publikoi Matricën e Implementimit të Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin. Matrica bën vlerësimin e progresit të vazhdueshëm në implementimin e propozimit dhe ofron transparencë të mëtejme të punës së ICO-së dhe partnerëve të saj.Matrica në momentin e duhur, do të ndihmojë në shqyrtimin e mandatit dhe autorizimeve të Përfaqësuesit Ndërkombëtar Civil (ICR) nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues.

Zëvendësi i ICR-së, Fletcher Burton, tha se "puna e Zyrës Ndërkombëtare Civile fillon ta marrë hovin e vet tani kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës është në fuqi. Pas konsultimeve me Qeverinë dhe me parterët tjerë relevant, kemi publikuar matricën tonë të implementimit”.

Burton shpreson se ky do të jetë një udhëzues i dobishëm për progresin e të gjithë atyre që janë të interesuar në zhvillimin e Kosovës si shoqëri stabile dhe shumetnike në të cilën respektohen të drejtat e të gjithëve.

Matrica është quajtur nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues si dokument i “gjallë” dhe i nënshtrohet shqyrtimit të vazhdueshëm nga Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil, Pieter Feith.


79 milionë euro hua për KEK-un

Pas disa muajsh bllokade, Ministria e Ekonomisë dhe Fianancave (MEF), është pajtuar që t’i lejojë Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), një hua prej 79 milionë eurosh, mjete këto të cilat do të shfrytëzohen për realizimin e projekteve kapitale.
"Këto mjete do shfrytëzohen për projektin e Sibovcit jug-perëndimor, që përfshin edhe blerjen e ekskavatorëve, rehabilitimin e njësisë A5 të Termocentralit "Kosova A", pastaj blerjen e rotorëve dhe disa projekte tjera në Divizionin e Rrjetit", tha Nezir Sinani, ushtrues detyre i menaxherit për komunikim në korporatë.

KEK-u ka njoftuar MEF-i një vendim të tillë e ka marrë me datën 13 të këtij muaji.

"Të premten ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të KEK-ut, Arben Gjukaj, ka pranuar një letër nga Ministri i MEF-it, Ahmet Shala, me të cilën është njoftuar që kjo ministri është pajtuar me termet e kontratës së huasë të kërkuar nga KEK-u për realizimin e projekteve kapitale në të gjitha divizionet e kompanisë".

Nënshkrimi i kontratës në fjalë bazuar në njoftimin e KEK-ut, pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

"KEK-u me këtë rast shprehë falënderimet më të sinqerta për vendimin e Qeverisë në favor të kontratës së huasë, përmes së cilës do të nisë një fazë e re e realizimit të projekteve shumë të nevojshme kapitale në Korporatë, që do të rezultojnë me një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më kualitativ në vend", thuhet në njoftimin zyrtar të KEK-ut.
Kosova prezanton Kushtetutën në Bruksel

Në Parlamentin Evropian delegacioni i Republikës së Kosovës sot do ta prezantojë Kushtetutën e Kosovës. Delegacionit kosovar po i prin kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, kurse e shoqërojnë edhe zëvendës kryeministri Ramë Manaj dhe 6 deputetë të Parlamentit të Kosovës.

Në këtë takim do të bisedohet edhe për situatën politike në Kosovë.

Burime diplomatike nga Brukseli bëjnë të ditur se sonte për delegacionin kosovar do të shtrojë darkë pune kryesuesja e delegacionit për Evropën në Parlamentin Evropian, Doris Pack.

 

Shanset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Shpresa për anëtarësim në FMN deri në fund të vitit

Qeveria e Kosovës synon që brenda këtij viti të anëtarësohet në ato organizata ndërkombëtare, ku nuk kërkohet konsensus politik.

 

Autoritetet në Prishtinë janë të mendimit se brenda këtij viti Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Në këtë fazë vështirësi për anëtarësimin do të ketë në ato organizata ndërkombëtare ku kërkohet konsensus politik ndërkombëtar. Për këtë arsye, qeveria e Kosovës ka vendosur që fillimisht të aplikojë për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën botërore sepse në këto dy mekanizma financiare shtetet që tashmë kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë me ndikim dhe nuk kërkohet koncensus politik.

Shpresa për anëtarësim në FMN dhe Bankën Botërore

Zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuqi mbi përpjekjet e qeverisë kosovare: "Qeveria e Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me mekanizmat e FMN-së dhe Bankës Botërore. Aplikimi do të bëhet në mënyrë direkte në momentin kur të krijohet ambienti që anëtarësimi të jetë i sigurt."

Hajredin Kuqi është optimisht se gjatë këtij viti, Kosova do ta përfundojë procesin e anëtarësimit në të dy këto organizata ndërkombëtare, fillimisht në FMN, e pastaj edhe në Bankën Botërore.

Anëtarësimi në OKB dhe OSBE  kërkon konsensus

Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata të tjera ndërkombëtare si OKB dhe OSBE do të ketë vështirësi. Në të dy këto organizata kërkohet konsensusi politik, i cili nuk mund të arrihet pa pëlqimin e federatës Ruse dhe Serbisë. Zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuqi, thotë se Kosova do të aplikojë për anëtarësim edhe në këto dy organizata, por kur të krijohet një ambient më i përshtatshëm politik.

Lidhur me këtë zëvëndëskryeministri Kuqi shprehet se qeveria e Kosovës është e bindur se zhvillimet e ardhshme politike do të jenë në atë linjë që të inkuadrohet në proces edhe Rusi. "Besoj se në të ardhmen do të kemi edhe në Serbi edhe në vendet e rajonit qeveri me orientim pro-evropian dhe të interesuara për integrim", thotë Kuqi.

Kosovën që nga shpallja e pavarësisë e kanë njohur si shtet, 39 vende. Autoritetet në Prishtinë shpresojnë se ky numër do të rritet, sidomos pas datës 15 qeshor kur hyn në fuqi kushtetuta e Kosovës dhe ku Prishtina zyrtare mund të intensifikojë aktivitetin e saj diplomatik. Autoritetet shpresojnë se kjo do t'ia lehtësonte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat më të mëdha ndërkombëtare.


Një milion euro për Ministrinë e
Jashtme

Një milion euro i ka dhënë Qeveria e Kosovës për fillimin e punës të Ministrisë së Punëve të Jashtme – ndërsa ka kërkuar nga ministri i nominuar, Skendër Hyseni, që së shpejti të përgatisë projektin konkret për këtë ministri.Vendimi për ndarjen e kësaj shume është marrë të enjten në mbledhjen e Qeverisë, e para pas kthimit të kryeministrit Hashim Thaçi nga New Yorku.

Kryeministri Thaçi i ka vlerësuar si shumë të suksesshme takimet me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, ndërsa ka thënë se Kosova ka gjetur përkrahje të gjerë nga vendet anëtare të kësaj organizate botërore.

Kryeministri po ashtu ka përsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës kundër pretendimit serb për t’i organizuar zgjedhjet lokale në Kosovë. Thaçi këtë pretendim të Serbisë e ka cilësuar si jolegjitim.

 

Qendrim te kendshem.  
  Albaniaonline Albania Arts  
 
 

 
Galeria  
 

Gallery Click to View

 
 
   
606142 visitatori (3139988 hits)
Questo sito web è stato creato gratuitamente con SitoWebFaidate.it. Vuoi anche tu un tuo sito web?
Accedi gratuitamente